Ky gabim me kondicionerin mund t’ju thyejë xhamin e përparmë të makinës

Gjatë ditëve të nxehta të verës, një makinë e lënë për orë të tëra nën diell mund të arrijë temperatura shumë të larta. Për këtë arsye, sapo futen në automjet, shumë drejtues ndezin menjëherë kondicionerin në temperaturën më të ulët dhe me fuqinë maksimale.

Megjithatë, ftohja e menjëhershme mund të krijojë probleme për xhamin e përparmë, veçanërisht nëse ajri i kondicionerit drejtohet direkt mbi të.

Kur xhami është nxehur për një kohë të gjatë nga dielli dhe përballet papritur me ajër shumë të ftohtë, diferenca e temperaturës mund të krijojë atë që njihet si “shok termik”.

Një xham në gjendje të mirë zakonisht e përballon ndryshimin e temperaturës, por situata ndryshon nëse ai ka një krisje apo dëmtim të vogël nga goditja e një guri. Në këto raste, ndryshimi i shpejtë i temperaturës mund ta zgjerojë çarjen ekzistuese.

Mënyra më e mirë është që makina të ajroset fillimisht. Hapja e dyerve ose dritareve për një ose dy minuta ndihmon në largimin e ajrit shumë të nxehtë të grumbulluar brenda.

Më pas kondicioneri mund të ndizet me intensitet të ulët ose mesatar dhe temperatura të ulet gradualisht. Në minutat e para këshillohet gjithashtu që ajri i ftohtë të mos drejtohet menjëherë mbi xhamin e përparmë.

I njëjti kujdes duhet treguar edhe me ujin. Hedhja e ujit shumë të ftohtë mbi një xham të nxehur nga dielli nuk është një mënyrë e mirë për ta freskuar, pasi ndryshimi i menjëhershëm i temperaturës mund të përkeqësojë një dëmtim që xhami e ka tashmë.

Pra, nuk është e nevojshme të hiqni dorë nga kondicioneri në ditët e nxehta. Mjafton të ajrosni makinën për pak minuta dhe ta ulni temperaturën gradualisht, në vend që ajrin maksimalisht të ftohtë ta drejtoni menjëherë mbi xhamin e nxehur.