“Shpirtrat binjakë”, si ta kuptoni nëse keni gjetur personin me të cilin ju lidh diçka më shumë

Termi “shpirtra binjakë”, apo “twin flames”, është bërë mjaft i përdorur vitet e fundit për të përshkruar dy persona mes të cilëve krijohet një lidhje veçanërisht e fortë.

Nuk bëhet domosdoshmërisht fjalë për një marrëdhënie perfekte apo për dy njerëz që përshtaten në çdo aspekt. Ky koncept lidhet më tepër me tërheqjen e fortë, emocionet intensive dhe ndikimin që dy partnerët mund të kenë te njëri-tjetri.

Në astrologji, për të vlerësuar një lidhje të tillë nuk mjaftojnë vetëm shenjat e horoskopit. Sipas astrologëve, krahasohen hartat e lindjes dhe raporti që krijojnë planetët e të dy personave. Hëna, Afërdita dhe Marsi janë ndër elementet që lidhen më së shumti me emocionet, tërheqjen romantike dhe kiminë në çift.

Një nga shenjat që përmendet shpesh është ndjesia se e njihni personin prej shumë kohësh, edhe kur sapo jeni takuar. Lidhjet e forta të Hënës me planetët personalë interpretohen si tregues të familjaritetit dhe afërsisë emocionale.

Afërdita dhe Marsi, nga ana tjetër, lidhen më shumë me tërheqjen romantike dhe fizike. Aspekte të forta mes tyre mund të shoqërohen me një kimi të menjëhershme, që ndihet që në takimet e para.

Megjithatë, një lidhje e tillë nuk nënkupton se marrëdhënia do të jetë e lehtë. Në interpretimet astrologjike, aspektet më të vështira mes dy hartave mund të shoqërohen me tensione, keqkuptime, largime apo nevoja të ndryshme emocionale.

Pikërisht këtu mbështetet edhe një pjesë e konceptit të “twin flames”: ideja se personi tjetër mund t’ju shtyjë të përballeni me pjesë të karakterit tuaj që më parë i keni anashkaluar. Për këtë arsye, këto marrëdhënie përshkruhen shpesh si lidhje që sjellin ndryshime personale, pavarësisht nëse zgjasin apo jo.

Një rëndësi e veçantë në astrologji u jepet edhe konjuksioneve të Hënës dhe lidhjeve të saj me planetët personalë. Ato interpretohen si një afërsi emocionale më e theksuar dhe mund të krijojnë përshtypjen se njohja me personin tjetër ka ardhur në një moment të veçantë të jetës.

Gjithsesi, astrologjia nuk mund të përcaktojë nëse dy persona janë “të destinuar” për njëri-tjetrin. Edhe koncepti i “shpirtrave binjakë” nuk është një garanci për një marrëdhënie të suksesshme dhe nuk duhet të shihet si arsye për të qëndruar në një raport që nuk funksionon.

Në fund, “twin flames” mbetet një koncept astrologjik dhe shpirtëror, jo një fenomen i provuar shkencërisht. Ai përdoret kryesisht për të përshkruar ato marrëdhënie që, për shkak të intensitetit të tyre, mund të ndikojnë në mënyrën se si një person sheh veten, emocionet dhe atë që kërkon nga partneri.

Burimi: /Anabel Magazine