Ekspertët e kuptojnë se lidhja juaj ka marrë fund vetëm nga ky veprim

Mbajtja gjallë e një marrëdhënieje romantike nuk është gjithmonë e lehtë, sidomos pas shumë vitesh së bashku apo pas ardhjes në jetë të fëmijëve.

Me kalimin e kohës, rutina dhe përgjegjësitë mund të ndikojnë në afërsinë mes partnerëve, ndërsa disa ndryshime të vogla mund të sinjalizojnë se marrëdhënia po kalon një periudhë të vështirë.

Eksperti i marrëdhënieve Rick Netshiozwi thotë se një prej shenjave që mund të tregojë distancim mes partnerëve lidhet pikërisht me mënyrën se si ata flenë.

“Një shenjë e qartë se një martesë po i afrohet fundit është mënyra se si flini. Kur secili prej jush qëndron në anën e vet të shtratit dhe këmbët tuaja nuk prekin më njëra-tjetrën, atëherë gjërat mund të jenë duke u bërë të vështira”, është shprehur ai.

Sipas tij, problemi nuk qëndron thjesht te pozicioni i gjumit, por te humbja e dëshirës për kontakt fizik. Nëse një prekje e zakonshme mes partnerëve nis të shkaktojë parehati apo shmangie, kjo mund të jetë një shenjë e distancimit emocional.

Rëndësia e kontaktit fizik mbështetet pjesërisht edhe nga studimet shkencore. Prekja është lidhur me çlirimin e oksitocinës, hormon që luan rol në krijimin e besimit dhe afërsisë emocionale. Një studim i publikuar në vitin 2021 në “Neuroscience & Biobehavioral Reviews” e përshkruan prekjen si një nga format bazë të komunikimit njerëzor dhe të shprehjes së afeksionit.

Megjithatë, mënyra se si një çift fle nuk duhet parë si provë se marrëdhënia po shkon drejt fundit. Disa njerëz preferojnë natyrshëm më shumë hapësirë gjatë gjumit dhe mund të kenë një marrëdhënie të shëndetshme pavarësisht se nuk flenë të përqafuar.

Shenja bëhet më domethënëse kur mungesa e kontaktit fizik shoqërohet edhe me distancim gjatë ditës, mungesë komunikimi dhe më pak dëshirë për të kaluar kohë së bashku.

Ekspertët këshillojnë që, kur partnerët vërejnë një distancë të tillë, të mos e neglizhojnë. Komunikimi i hapur, koha cilësore së bashku dhe rikthimi te aktivitetet që dikur i afronin mund të jenë hapa të thjeshtë për të kuptuar se çfarë ka ndryshuar në marrëdhënie.