Katy Perry ishte protagonistja e natës së parë të Sunny Hill Festival 2026, duke sjellë në Prishtinë një koncert me disa prej hiteve të saj më të njohura.
Megjithatë, përtej performancës në skenë, një moment i veçantë me një fanse të vogël mori vëmendjen e publikut.
Gjatë koncertit, ylli i muzikës pop u afrua pranë fansave dhe ndaloi te 10-vjeçarja Era, e cila nuk arriti t’i mbante lotët nga emocionet. Këngëtarja e përqafoi vogëlushen dhe kaloi disa çaste me të, mes duartrokitjeve të mijëra të pranishmëve.
Më pas, Era tregoi se takimi me Katy Perry ishte dhurata më e bukur që mund të merrte për ditëlindjen e saj. Artistja vendosi ta bënte edhe më të veçantë atë moment, duke e ftuar të këndonin së bashku një pjesë të hitit “Roar”.
“Si dhuratë për ditëlindje dua ta këndojmë bashkë këngën ‘Roar’”, u shpreh Katy Perry.
Pamjet e këtij momenti u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u kthyer në një nga episodet më të komentuara të natës së parë të Sunny Hill Festival 2026, ku artistja interpretoi edhe këngë të njohura si “Firework”, “Dark Horse”, “California Gurls”, “Teenage Dream” dhe “Roar”.
