Egli Tako ka folur hapur për eksperiencën e saj në “Big Brother VIP Albania”, duke shpjeguar se si izolimi brenda shtëpisë ndikoi në krijimin e marrëdhënieve mes banorëve, përfshirë edhe romancën e saj me Gjestin.
E ftuar në podcast-in e Grida Dumës, këngëtarja u pyet për ndikimin që pati formati në jetën e saj dhe nëse ishte e vetëdijshme për vëmendjen që mori nga publiku.
Sipas Eglit, përjetimi brenda shtëpisë është krejt ndryshe nga ai që shohin teleshikuesit, pasi banorët shkëputen plotësisht nga rutina dhe bota jashtë.
“Kur hyn aty nuk e di nëse jeta jashtë vazhdon njësoj. Ti shkëputesh totalisht nga realiteti. Nuk jeton më në atë botë që ke lënë pas, por vetëm në atë hapësirë, me ata njerëz dhe ato situata që bëhen e gjithë bota jote”, u shpreh ajo.
Egli theksoi se pikërisht kjo shkëputje bën që emocionet të përjetohen më fort dhe marrëdhëniet të krijohen më lehtë, pasi banorët kalojnë çdo moment së bashku, pa asnjë kontakt me realitetin jashtë shtëpisë.
Deklarata e saj u interpretua edhe si një reflektim mbi lidhjen me Gjestin, e cila nisi gjatë qëndrimit të tyre në “Big Brother VIP Albania” dhe u kthye në një nga historitë më të komentuara të atij edicioni. Megjithatë, pas përfundimit të spektaklit, dyshja vendosi t’i japë fund marrëdhënies.
