Fituesja e këtij edicionit të “Ferma VIP”, Mimoza Ahmeti, ka reaguar ndaj kërkesave të shumta të ndjekësve për t’iu bashkuar protestave që po mbahen tashmë e më shumë se një muaj në Tiranë.
Përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në TikTok, ku ishte në një “Live” me producentin Eraldo Rexho, ajo ka sqaruar një herë e mirë pozicionin e saj, duke refuzuar prerë pjesëmarrjen.
Me çiltërsinë dhe formatin e saj të drejtpërdrejtë, Moza ka treguar se pas eksperiencës së gjatë në reality-show, ndihet e konsumuar fizikisht dhe psikologjikisht.
“Ku kam takat unë për protestë, jam lodhur, jam gërdis, plot tre muaj në fermë,” është shprehur ajo, duke iu përgjigjur kështu komentuesve që prisnin ta shihnin në shesh mes protestuesve.
Më tej, ajo nuk ka kursyer as kritikat e ashpra ndaj shoqërisë, duke kujtuar kohën kur vetë ajo dilte për të kërkuar të drejtat e saj, ndërsa të tjerët bënin sehir.
“Kur kam protestuar unë që në vitin 2000, ju talleshit me mua. Tani protestoni ju pak për mua, të rri edhe unë në shtëpi siç rrinit ju atëherë kur protestoja unë. Thoshte babai im: ‘Me radhë lëpihen viçat’,” ka deklaruar Moza, duke përdorur këtë shprehje popullore për të treguar se secili duhet të bëjë pjesën e vet.
Përveç lodhjes personale, ish-fermerja ka ndarë edhe një moskuptim mbi qëllimin e vërtetë të këtyre organizimeve, duke u shprehur e paqartë për mesazhet që po jepen.
“Pastaj kjo protesta po bëhet e çuditshme. Kërkoni gjërat që doni vërtet, se këtu po bëhet gjeopolitikë me protestë, s’po marr vesh fare! Duket si protestë e një shteti global,” ka përfunduar ajo, duke lënë të kuptohet se nuk dëshiron të bëhet pjesë e kauzave që ajo nuk po arrin t’i kuptojë.
