Grimierja shqiptare Sonila Velja, e cila ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Itali duke bashkëpunuar me emra të njohur ndërkombëtarë si Monica Bellucci dhe Belen Rodriguez, ka ndarë vlerësimet dhe kritikat e saj për dukjen e disa prej vajzave më të përfolura të ekranit shqiptar.
E ftuar në emisionin “Live From Tirana” në Top Albania Radio me moderator Ronaldo Sharkën, ajo ka analizuar stilin e grimit të personazheve publike.
E pyetur se cila nga moderatoret i pëlqen më shumë për mënyrën se si shfaqet në publik, Velja ka veçuar Alketa Vejsiun dhe Grida Dumën.
Grimierja ka shprehur vlerësim të lartë për to, duke i cilësuar si ikona të bukurisë dhe klasit në Shqipëri, si dhe ka pranuar se gjen frymëzim tek imazhi i tyre.
Nga ana tjetër, sa i përket personazheve që sipas saj e ekzagjerojnë me mbulimin kozmetik, ajo ka përmendur Luana Vjollcën.
Velja u shpreh se Luana ka mjaft tipare të bukura natyrale, por grimi që zgjedh të mbajë është i mbingarkuar dhe i rënduar jashtë mase.
Sipas grimieres, ky stil mjaft ekstravagant e zbeh bukurinë e saj natyrore, e cila do të dukej më mirë nëse do të kurohej me më shumë thjeshtësi.
