Përveç rrëfimit tronditës për humbjen e vëllait, këngëtari Gjesti ka vendosur të sqarojë një herë e mirë edhe skandalin që pushtoi mediat javë më parë: përplasjen e ashpër me shtëpinë diskografike “Onima”.
Gjatë intervistës në “Goca dhe Gra”, artisti pranoi publikisht se kishte shkuar me armë në zyrat e menaxhmentit, duke shpjeguar se ky veprim ekstrem erdhi pas pesë vitesh mashtrime, vonesa pagesash dhe një ngarkese të papërballueshme emocionale.
Gjesti tregoi se natyra e tij e butë ishte keqpërdorur për një kohë të gjatë nga kompania, duke e çuar atë në limitet e durimit njerëzor, pikërisht në periudhën kur po kalonte edhe gjendjen e rëndë të ankthit pas tragjedisë familjare.
“Unë jam sjellë në mënyrën më të mirë të mundshme, jo veç me atë kompani, por me të gjithë. Por kur je i mirë, i urtë, i butë, të gjithë ta bëjnë ty ‘më fshi pak këpucët’, pastaj thonë ‘më lëpi pak këpucët’, e teprojnë dhe të mirën tënde e hedhin poshtë. Dhe ti pastaj kur çohesh thua ‘nuk dua të bëj kështu se s’jam skllav i yti’, pastaj ti del i keq.
Ka pasur kontratë mes nesh. Njerëz të papërgjegjshëm, njerëz rrencakë, njerëz dallaverexhinj, njerëz që s’ua ndjen a iu prishet këtij karriera a jo, njerëz që s’ua ndjen a ke ti bukë a s’ke, njerëz që s’të kuptojnë, a është keq, a ka nevojë a s’ka, veç të mbushin xhepin e vet, edhe ti që s’ke me ngrënë dhe t’i çosh familjes, jo se ti pret, ti je artist i famshëm. Por jo! Nuk shkojnë këto gjëra! Unë jam përlarë me ta prej 5 vitesh, më çuan në atë gjendje, për të bërë atë që bëra. Mua më ka gjetur në ankth që e bëra atë veprim, mua më u lig zemra, se pata edhe atë ngjarjen (humbjen e vëllait) dhe u dobësova prej zemre. Një fjalë të keqe të ma thoshin unë nisa të qaja, sepse isha i ligështuar, se kurrë nuk e kisha bërë atë veprim. Por u lodha me shpirt, u lodha! Sepse as më jepnin paratë e mia, më gënjenin. Shiko, nuk është puna vetëm te paraja, është puna që pse po më shtyn të bëhem një njeri i keq, njeri i pavlerë. Po më shtyn 5 vjet rresht të t’i kërkoj paratë tek zyra.
Sot jemi në gjykatë. I kam paditur.”
