Organizata Botërore e Shëndetësisë ka evidentuar pesë raste të dyshuara të infektimit me Hantavirus në bordin e mjetit lundrues MV Hondius, i cili operohet nga kompania Oceanwide Expeditions.
Gjatë itinerarit të anijes drejt Kepit të Gjelbër, janë raportuar tre humbje jete. Konfirmohet gjithashtu se një shtetas britanik po merr trajtim në njësinë e terapisë intensive në Johanesburg si pasojë e këtij infeksioni.
Lidhur me specifikat e këtij patogjeni, ekspertja Thorrun Govind sqaron: “Hantavirusi është një grup virusesh, jo një virus specifik, i cili bartet nga minjtë dhe mund të shkaktojë sëmundje serioze te njerëzit”.
Komplikacionet parësore mjekësore që shkaktohen nga ky grup virusesh ndahen në Sindromën Pulmonare të Hantavirusit (HPS), që prek mushkëritë, dhe Ethet Hemorragjike me Sindromë Renale (HFRS), të cilat dëmtojnë veshkat.
Mekanizmi i transmetimit lidhet me ekspozimin ndaj ekskretimeve të brejtësve. “Ne po flasim realisht për thithjen e ajrit të kontaminuar sepse virusi bëhet i transmetueshëm në ajër kur urina ose jashtëqitjet e brejtësve thahen”, thekson Govind.
Ajo saktëson kushtet e infektimit duke shtuar: “Do t’ju duhet të jeni në zonën e kontaminuar për një kohë të zgjatur, por mund ta merrni atë nga prekja e sipërfaqeve të kontaminuara ose nga një kafshim ose gërvishtje, por kjo tenton të jetë më e rrallë.”
Rreziku i transmetimit mes njerëzve vlerësohet minimal, pasi sipas saj: “Është shumë e rrallë që të përhapet nga njeriu te njeriu – kjo nuk është si Covid apo gripi”.
Periudha e inkubacionit llogaritet nga dy deri në katër javë, por mund të variojë nga dy ditë deri në tetë javë.
Shenjat e para klinike ngjasojnë me infeksionet e zakonshme virale. Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) raporton se simptomat fillestare përfshijnë lodhje, temperaturë, dhimbje koke dhe miologji, kryesisht në muskujt e mëdhenj të trupit.
Nëse infeksioni progreson në HPS, pacientët shfaqin çrregullime gastrointestinale, ndërsa pas ditës së katërt deri në të dhjetën, vërehen vështirësi në frymëmarrje si pasojë e akumulimit të lëngjeve pulmonare.
Në rastet e HFRS-së, simptomatika zhvillohet me dhimbje lumbare dhe abdominale, inflamacion okular, dhe më pas avancon në hipotension të theksuar, hemorragji të brendshme dhe dështim akut të veshkave.
Shkalla e vdekshmërisë për HPS regjistrohet në nivelin 38%, por prevalenca lidhet me llojin e shtamit. Variantet si Hantaan dhe Dobrava kanë vdekshmëri 5-15%, ndërsa shtamet Seoul, Saaremaa dhe Puumala kanë normë fataliteti nën 1%.
“Hantavirusi mund të ketë pasoja serioze por ka disa grupe që janë më të prekur”, shpjegon Govind, duke theksuar se: “Njerëzit që janë të imunosuprimuar ose që janë të moshuar do ta kenë më të vështirë se të tjerët.”
Aktualisht nuk ekziston një protokoll i standardizuar kurimi apo medikamente antivirale specifike. Për procedurat e trajtimit, ekspertja sqaron: “Zakonisht, ata do të shtrohen në spital, do të monitorohen dhe do të mbështeten“.
Kjo përfshin kujdesin mbështetës emergjent, ku “ata mund të kenë terapi me oksigjen nëse kanë vështirësi në frymëmarrje dhe mjekët do të monitorojnë organet kryesore si zemra, mushkëritë dhe veshkat.”
Për parandalimin e infeksionit, masat kryesore konsistojnë në shmangien e kontaktit me brejtësit dhe mbetjet e tyre. Për proceset e higjienizimit, Govind udhëzon: “Nëse jeni duke fshirë diku ku mund të ketë jashtëqitje të thata për shembull, ju duhet të shmangni krijimin e pluhurit dhe të përdorni pajisje mbrojtëse.”
CDC rekomandon minimizimin e prezencës së brejtësve në hapësirat e banimit dhe punës nëpërmjet ndërhyrjeve profesionale të dizinfektimit.
