Regjisori dhe producenti Petri Bozo dyshohet se përplasi për vdekje një fëmijë 7-vjeçar mëngjesin e kësaj të hëne në fshatin Mengël të Elbasanit.
Aksidenti tragjik ndodhi në aksin nacional Elbasan-Librazhd, pranë shkollës së fëmijës, ndërsa i mituri po shkonte në mësim i shoqëruar nga nëna e tij.
Sipas informacioneve paraprake, 7-vjeçari dyshohet se iu shkëput nga dora nënës në momentin që po kalonin rrugën dhe u përplas nga automjeti që drejtohej nga 61-vjeçari.
Përplasja rezultoi fatale, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Një dëshmitar i ngjarjes deklaroi se pas aksidentit një i ri nxori me kujdes fëmijën nga poshtë makinës, ndërsa shoferi shprehej se ndodhej në rrugë nacionale dhe kishte përparësi.
Banori theksoi gjithashtu se automjetet në këtë aks lëvizin shpesh me shpejtësi të lartë, duke e bërë zonën të rrezikshme për banorët dhe nxënësit e shkollës pranë rrugës.
