Zbulohet një planet në një sistem të afërt diellor, mendohet që ka shenja jete

Teleskopi Hapësinor James Webb ka zbuluar prova të forta për një planet gjigant në zonën e banueshme të sistemit yjor më të afërt me Tokën – Alpha Centauri.

Alpha Centauri ndodhet rreth 4 vite dritë larg dhe përbëhet nga dy yje të ngjashëm me Diellin, Alpha Centauri A dhe B, si dhe një yll xhuxh i kuq, Proxima Centauri.

Imazh i qiellit që tregon pozicionet e Alpha Centauri AB dhe Proxima Centauri

Deri më tani, janë zbuluar vetëm tre ekzoplanetë rreth Proxima Centaurit, por asnjë rreth dy yjeve kryesorë.

Sipas të dhënave të mbledhura nga instrumenti MIRI i teleskopit Webb në gusht 2024, objekti i zbuluar mund të jetë një gjigant i gaztë me madhësi të ngjashme me Saturnin, që rrotullohet rreth Alpha Centauri A në një distancë 1 deri në 2 herë më të madhe se ajo mes Tokës dhe Diellit.

Imazh i yllit të dyfishtë Alpha Centauri AB i marrë nga Teleskopi Hapësinor Hubble i NASA/ESA-s

Ai ndodhet në zonën e banueshme, ku temperaturat mund të jenë të përshtatshme për ekzistencën e ujit në formë të lëngshme, megjithëse vetë planeti nuk mund të mbështesë jetë siç e njohim.

Megjithatë, vëzhgime të tjera të bëra në shkurt dhe prill 2025 nuk arritën të konfirmojnë praninë e objektit. Sipas simulimeve kompjuterike, në gjysmën e orbitave të mundshme planeti mund të jetë zhvendosur shumë afër yllit, duke u bërë i padukshëm për Webb gjatë atyre periudhave.

Dy imazhe të Alfa Centauri A+B, të marra në mars 2003 (majtas) dhe shkurt 2005 (djathtas), të kapura nga teleskopi XMM-Newton.

“Ne jemi përballë rastit të një planeti që ‘zhduket’,” tha Aniket Sanghi nga California Institute of Technology.

Ai theksoi se, nëse konfirmohet, ky do të ishte planeti më i afërt i imazhuar ndonjëherë drejtpërdrejt dhe një rast i rëndësishëm për studimin e formimit të planeteve në sisteme me yje binarë.