18 persona janë plagosur pas një alarmi të rremë zjarri në një aeroplan të Ryanair në aeroportin e Palma de Majorkës, ndërsa pasagjerët e frikësuar u hodhën nga krahët, përmes daljeve të emergjencës.
Pasagjerët u filmuan duke e braktisur aeroplanin nëpërmjet njërit prej krahëve të tij përpara se të hidheshin në pistë, ndërsa zjarrfikësit dhe policia nxituan në vendngjarje.
Koordinatorët rajonalë të reagimit ndaj urgjencës mjekësore thanë se 18 persona kishin nevojë për ndihmë me “lëndime të lehta”.
Një punonjës i hutuar i aeroportit u dëgjua duke i thënë një kolegu në një mesazh me radio: “Avioni është gati të niset nga platforma dhjetë ose tetë dhe tani njerëzit po hidhen nga krahu në tokë. Diçka po ndodh, diçka po ndodh, po evakuojnë aeroplanin. Tani po vijnë zjarrfikësit.”
Edhe Ryanair konfirmoi se fluturimi ishte ndërprerë për shkak të një paralajmërimi të rremë për zjarr.