Zyrtarë të CIA-s dhe të administratës Trump janë shprehur se “informacione të reja të inteligjencës” provojnë se sulmet ajrore amerikane dëmtuan rëndë programin bërthamor të Iranit.
Këto deklarata vijnë pas raportimeve të CNN dhe mediave të tjera, të cilat bazuar në një vlerësim paraprak të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA), thanë se sulmet amerikane thjesht e shtynë për disa muaj përparimin e Iranit drejt një arme bërthamore.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, deklaroi të mërkurën se agjencia disponon informacione të reja, sipas të cilave “disa nga objektet kryesore bërthamore të Iranit janë shkatërruar dhe do të duhet të rindërtohen në një proces që do të zgjasë me vite.”
I fshehur akoma në bunker nga frika e një atentati, a do e konfirmojë Lideri Suprem Khamenei armëpushimin e Trump?
Presidenti Donald Trump theksoi se goditjet ajrore “zhdukën” aftësinë e Iranit për të prodhuar armë bërthamore, ndonëse më herët kishte pranuar se inteligjenca fillestare ishte “jo përfundimtare.”
Ndërkohë, Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, shkroi të mërkurën në platformën X se “informacionet e reja” mbështesin qëndrimin se objektet bërthamore të Iranit janë “shkatërruar” gjatë sulmeve.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane i tha Al Jazeera se objektet bërthamore të Iranit ishin “dëmtuar rëndë” pas “sulmeve të përsëritura” nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara