Presidenti amerikan Donald Trump shpalli me entuziazëm në platformën e tij Truth Social se sulmet ajrore në objektet bërthamore të Iranit ishin “NJË NGA SULMET USHTARAKE MË TË SUKSESSHME NË HISTORI”.
Por vlerësimet paraprake të inteligjencës amerikane nuk e përforcojnë këtë pretendim.
Bombat anti-bunker të lëshuara nga avionët B-2 thuhet se nuk kanë arritur të shkatërrojnë plotësisht objektivat kryesore: impiantin e pasurimit të uraniumit në Fordow dhe kompleksin bërthamor në Natanz.
Sipas raportimeve të CNN, të cilat citojnë burime të njohura me raportin sekret të Pentagonit, dëmet ishin të konsiderueshme, por programi bërthamor i Iranit është shtyrë vetëm me 1 deri në 2 muaj.
Pas publikimit të këtyre vlerësimeve, Trump reagoi me një tiradë të ashpër ndaj mediave amerikane, duke akuzuar CNN dhe New York Times për përpjekje për të “diskredituar” suksesin e deklaruar të sulmeve.
“lajme të rreme nga CNN, së bashku me dështakun NEW YORK TIMES, janë bërë bashkë në një përpjekje për të “diskredituar” një nga sulmet ushtarake më të suksesshme në histori. vendet bërthamore në iran janë shkatërruar plotësisht! Si TIMES si CNN po kritifikohen nga publiku!”, shkruan Trump në Truth Social.
Në realitet, imazhet satelitore të publikuara pas bombardimeve tregojnë kratera dhe dëme në sistemet mbrojtëse ajrore të Fordow, ndërsa në Natanz janë shkatërruar pjesë të strukturave sipërfaqësore dhe infrastruktura elektrike. Por ende nuk ka prova të qarta që impiantet nëntokësore të jenë shkatërruar.
Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Mariano Grossi, tha se nuk mund të ketë një vlerësim të saktë për dëmet në impiantet nëntokësore pa inspektime në terren.
Ndërkohë, Irani ka ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin me IAEA-n, duke e bllokuar hyrjen e inspektorëve ndërkombëtarë. Një ligj i miratuar nga Parlamenti iranian kërkon që inspektorët nuk mund të kthehen pa garanci për sigurinë e objekteve dhe aktivitetit bërthamor.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se sulmi ndaj objekteve bërthamore do të ndikojë ndjeshëm në kursin e ardhshëm të vendit. “Për vite kemi punuar për të treguar që e respektojmë Traktatin për Mos-përhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), por ky traktat nuk na mbrojti dot”, deklaroi ai.
Administrata e Trump ka rikonfirmuar qëllimin e sulmit: dobësimin e kapaciteteve bërthamore të Iranit dhe mbrojtjen e aleatit të saj, Izraelit.