Zyrtarë të lartë të SHBA-së kanë paralajmëruar se Irani ka midis 24 dhe 48 orë për t’u dorëzuar dhe për të shpëtuar nga një ofensivë e përmasave të mëdha ushtarake amerikane, teksa Presidenti Donald Trump po shqyrton përfshirjen në luftën e Izraelit kundër Republikës Islamike.
Burime nga Shtëpia e Bardhë konfirmojnë se këto dy ditë janë vendimtare për të përcaktuar nëse ka ende hapësirë për një zgjidhje diplomatike, apo nëse situata në Lindjen e Mesme do të hyjë në një fazë të re përshkallëzimi ushtarak.
Trump vetë ndezi alarmin global të martën me një postim në Truth Social:
“E di ku fshihet Ali Khamenei. Por nuk do të godas… ende. DORËZIM I PAKUSHTËZUAR!”
Zyrtarë izraelitë kanë lëshuar paralajmërime të fshehta për një “surprizë” të enjten në mbrëmje, të ngjashme me sulmet e befasishme që kanë kryer më parë ndaj udhëheqjes së Hezbollahut.
Në Uashington, ndërsa Trump zhvillonte mbledhje urgjente me këshilltarët e sigurisë, burime nga ABC News thanë se presidenti është gjithnjë e më i zemëruar me mënyrën si po reagon Irani që prej fillimit të bombardimeve izraelite të premten.
Zyrtarë të administratës pohojnë se SHBA-të kanë kaluar në “pozicion mbrojtës” në Lindjen e Mesme, por ndërkohë janë duke lëvizur anije luftarake dhe avionë pranë kufijve rajonalë – duke u përgatitur për çdo skenar.