Një tjetër histori e pabesueshme mbijetesë lidhet me sediljen 11A në bordin e fluturimit tragjik AI171 të Air India, i cili u rrëzua më 12 qershor në Ahmedabad, duke vrarë 241 nga 242 personat në bord.
Owen Jackson, një biznesmen nga Essex, Britani e Madhe, thotë se ishte planifikuar të udhëtonte pikërisht me të njëjtin avion të shtunën, vetëm dy ditë pas aksidentit fatal.
Për shkak të shtyrjes së disa detyrimeve të punës në një qendër thirrjesh, kolegët i rekomanduan të kthehej me fluturimin e së shtunës — i njëjti avion dhe i njëjti itinerar drejt London Gatwick.
Për koincidencë të jashtëzakonshme, Owen ishte caktuar të ulej në sediljen 11A, e njëjta ku ishte ulur Vishwash Kumar Ramesh, i vetmi i mbijetuar i fluturimit tragjik.
“Është tronditëse. Jam më shumë mirënjohës se çdo gjë tjetër – është një rastësi kaq e çuditshme,” – tha Jackson për The Sun, ndërsa kujtoi se për disa orë nuk kishte marrë vesh fare për përplasjen, duke qenë në takime pune, ndërsa bashkëshortja e tij Phillipa përjetonte ankth duke i dërguar mesazhe pa përgjigje.
Pas ngjarjes, Jackson ndjeu një tronditje emocionale të thellë:
“Për disa ditë shpërtheja në lot pa ndonjë arsye. Por e di mirë se kjo nuk krahasohet me dhimbjen e atyre që humbën njerëzit e tyre.”
Sipas mediave britanike, pilotit Sumeet Sabharwal i është atribuar statusi i “heroit” për përpjekjet për të shmangur goditjen e një ndërtese me shumë banorë, duke devijuar avionin në sekondat e fundit drejt një objekti më të izoluar.
Megjithatë, shumë njerëz në një konvikt mjekësh humbën jetën, dhe 33 viktima janë konfirmuar gjithashtu nga zona e banuar ku avioni u përplas.
Ndërkohë, investigimet mbi shkakun e përplasjes vazhdojnë.