Një ditë para përballjes së shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, pyetëm Inteligjencën Artificiale për rezultatin e mundshëm të ndeshjes. Përgjigja ishte e prerë: barazim. Dhe ashtu ndodhi – takimi përfundoi 0-0.
Ky detaj ka mjaftuar që rrjetet sociale të shpërthejnë me dyshime dhe teori konspirative, ku disa përdorues kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi ndershmërinë e rezultatit, duke e quajtur madje ndeshjen si “të shitur”.
Çudia shtohet më tej me penalltinë e humbur nga Rei Manaj në fundin e pjesës së parë, një rast që mund t’i jepte Shqipërisë tre pikët e arta. Për tifozët e zhgënjyer, kjo rastësi është e tepërt për të kaluar pa dyshime.
Natyrisht, çdo parashikim i bërë nga AI bazohet në analizën statistikore të të dhënave, e jo në informacione të brendshme. Por kur një ngjarje kaq e rëndësishme përfundon pikërisht siç parashikohet, është e pritshme që spekulimet të shtohen.
Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë provë që ndeshja të ketë qenë e manipuluar, dhe çdo koment në këtë drejtim mbetet thjesht spekulim i opinionit publik, i nxitur nga rezultati dhe humbja e një rasti vendimtar.