Ndërsa sezoni veror afrohet dhe mijëra familje planifikojnë pushime ose vizita tek të afërmit jashtë vendit, autoritetet shëndetësore po bëjnë thirrje për kujdes të shtuar lidhur me rritjen e ndjeshme të rasteve me fruth në Europë dhe disa rajone të tjera.
Sipas të dhënave më të fundit nga Agjencia për Sigurinë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA), infeksionet me fruth në Europë kanë arritur nivelin më të lartë në 25 vitet e fundit.
Përveç kontinentit europian, rritje të ndjeshme të rasteve janë raportuar edhe në vende si Pakistani dhe Nigeria.
Vaksinimi në fëmijëri ndaj fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR) mbetet larg nivelit të rekomanduar. UKHSA i bën thirrje të gjithë udhëtarëve, veçanërisht prindërve, që të sigurohen që fëmijët e tyre të jenë të vaksinuar përpara udhëtimeve gjatë verës.
“Është thelbësore që të gjithë, veçanërisht prindërit e fëmijëve të vegjël, të kontrollojnë nëse familjarët kanë marrë të dyja dozat e vaksinës MMR – sidomos nëse po planifikojnë udhëtime këtë verë,” tha Dr Vanessa Saliba, epidemiologe pranë UKHSA.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF, në vitin 2024 janë raportuar mbi 127,000 raste me fruth në Rajonin Europian – një dyfishim krahasuar me vitin e mëparshëm dhe numri më i lartë që prej vitit 1997.
Vendet europiane me prurje të larta turistike, si Franca, Italia, Spanja dhe Gjermania, kanë shënuar shpërthime lokale të fruthit. Situata është e rënduar gjithashtu në Rumani, Pakistan, Indi, Tajlandë, Indonezi dhe Nigeri.
Çfarë është fruthi?
Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që përhapet përmes kollës dhe teshtimave.
Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, sy të skuqur dhe të lotuar, rrjedhje hundësh, kollë dhe skuqje në lëkurë që zakonisht fillon në fytyrë dhe përhapet në pjesët e tjera të trupit.
Sëmundja mund të zgjasë 7-10 ditë, por në disa raste mund të çojë në komplikime të rënda si pneumonia, meningjiti, verbëria apo krizë epileptike.
Fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të komprometuar janë më të rrezikuarit. Fruthi mund të jetë fatal, megjithëse kjo ndodh rrallë.