Një ngjarje shqetësuese është regjistruar në zonën e Astirit, në Tiranë, ku një vajzë 6-vjeçare, e bija e detektives private Shkënda Lili, ka shpëtuar nga një tentativë rrëmbimi.
Episodi ndodhi pranë kompleksit të banimit ku jeton familja Lili dhe ka tronditur banorët e zonës.
Sipas burimeve nga vendngjarja, një grua rreth të 55-ave, e përshkruar si me pamje të rregullt, e veshur me syze dhe sjellje të dyshimta, ishte parë disa herë në ditët e fundit duke qëndruar në afërsi të hyrjes së pallatit dhe duke vëzhguar të miturën.
Ditën e djeshme, ajo u afrua pranë vajzës, duke tentuar ta joshte me çokollata dhe karamele. Më pas, sipas dëshmitarëve, ka tentuar ta tërheqë vajzën me forcë.
Ndërhyrja e menjëhershme e disa fqinjëve, të cilët ndodheshin në një lokal përballë dhe vunë re situatën, bëri që tentativa të dështonte.
Gruaja u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe deri tani është ende në kërkim nga autoritetet.
Pamjet e kamerave të sigurisë në zonë janë sekuestruar nga policia, e cila ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autores.
Dyshimet lidhen edhe me profesionin e ndjeshëm të Shkënda Lilit, e njohur për hetimet që zhvillon në raste tradhtish bashkëshortore dhe çështje të tjera sensitive.