Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë me një njoftim urgjent për të gjithë tifozët që janë përzgjedhur fitues të shortit elektronik për blerjen e biletave për ndeshjen Shqipëri – Serbi.
Përmes një deklarate zyrtare, FSHF thekson se linku i dërguar për blerjen e biletave është i vlefshëm vetëm për 24 orë, nga momenti kur është marrë njoftimi.
Pas këtij afati, lidhja digjitale skadon dhe personat humbin mundësinë për të përfituar biletat.
“U bëjmë thirrje të gjithë fituesve që të mos e vonojnë pagesën dhe të përfundojnë procesin e blerjes sa më shpejt. Pas skadimit të afatit, biletat nuk mund të blihen më,” – thuhet në njoftimin zyrtar.
Kujtojmë se sfida Shqipëri – Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës “FIFA 2026”, do të luhet më 7 qershor, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.
FSHF po zbaton sistemin elektronik të përzgjedhjes së tifozëve për të garantuar barazi dhe shmangie të abuzimeve gjatë shpërndarjes së biletave për ndeshjet me interes të lartë.