Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë sot në një deklaratë të fortë për mediat, duke akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama dhe drejtues të lartë të Partisë Socialiste për manipulim të zgjedhjeve.
Ai publikoi disa procesverbale dhe pamje filmike nga qendra votimi në Fier dhe Vlorë, që sipas tij janë prova të qarta të deformimit të vullnetit të qytetarëve.
“Kurrë këto zgjedhje nuk do të pranohen,” deklaroi Berisha, i cili paralajmëroi një betejë të re politike.
“Sot ka shqiptarë të dëshpëruar dhe të zemëruar, por ka edhe dhjetëra mijëra të gatshëm të luftojnë për votën e lirë. Kjo luftë do të fillojë. Mos kujtojë njeri se një kriminel si Rama do të mund të imponojë këto rezultate njerëzve të lirë të Shqipërisë,” u shpreh lideri demokrat.
Berisha theksoi se PD disponon dokumente dhe materiale të mjaftueshme për të vërtetuar manipulimet zgjedhore dhe la të kuptohet se kjo është vetëm faza e parë e reagimit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të opozitës që të qëndrojnë të vendosur dhe të përgatitur për “luftën për demokraci”.