Një burrë ka pranuar se ka tradhtuar disa herë bashkëshorten e tij, duke fajësuar jetën seksuale të munguar pas ardhjes në jetë të fëmijëve.
Ai, që ka preferuar të mbetet anonim, tha se ndjehej i “privuar” dhe kjo e shtyu të kërkonte afeksion jashtë martesës.
Pas një martese 20-vjeçare, ai vendosi të ndajë arsyet që e çuan në tradhti. Në një rrëfim për Mail Online, burri në të dyzetat tha: “Jam i martuar prej 20 vitesh dhe në pesë vitet e fundit kam pasur disa lidhje jashtëmartesore. Mund të më gjykoni sa të doni, por nuk pendohem.”
Ai tregoi se është bërë baba i dy vajzave të mrekullueshme me gruan e tij, por kalimi nga partnerë në prindër nuk ka qenë i lehtë. Sipas tij, fëmijët shpesh shndërrojnë çiftet e dashuruar në “shokë të lodhur të një beteje – në rastin më të keq, kundërshtarë”, duke ndikuar rëndë edhe në marrëdhëniet intime.
Çifti ishte lidhur për katër vite para se të martoheshin dhe sipas tij, gjithçka dukej perfekte në fillim. “Kishim shumë të përbashkëta, kalonim mirë bashkë dhe kishim jetë seksuale të shkëlqyer. Marrëdhëniet me të më jepnin ndjesinë se mund të përballoja gjithçka,” tregoi ai.
Pas një viti martese, erdhi në jetë vajza e parë dhe pas dy vitesh u bënë familje me katër anëtarë. Sipas burrit, atësia e ndryshoi atë në mënyrë të thellë – u bë më i duruar dhe më i përgjegjshëm. Por për gruan e tij, ndryshimi ishte ndryshe.
“Papritur, gruaja që dikur më dëshironte dhe e dëshiroja, u largua. Sa herë përpiqesha të afrohesha, më shmangej ose më thoshte se ishte e lodhur. Kjo më lëndonte dhe më zhgënjente,” rrëfeu ai.
Me një fëmijë të vogël dhe një foshnje në shtëpi, ai tha se jeta seksuale u zhduk plotësisht. “Dikur ajo përpiqej të më joshte. Tani vishte bluza të gjera dhe pantallona sportive dhe e gjitha vëmendja e saj ishte për fëmijët,” shtoi ai.
Burri tregon se provoi të ndryshojë gjërat: sugjeroi mbrëmje në çift, pushime, madje ofroi edhe të paguante për dado – por asgjë nuk ndryshoi. Çdo përpjekje çonte në debate. “Ajo më quante egoist dhe thoshte se mendoja vetëm për veten.”
Me kalimin e viteve dhe rritjen e fëmijëve, ai kishte shpresuar që gjërat do të përmirësoheshin, por sipas tij “u përkeqësuan”. Pas 15 vitesh martese dhe refuzimesh të vazhdueshme, përfshirë edhe fjetjen në dhoma të ndara, ai filloi të kërkonte jashtë martesës.
Ai thotë se nuk kishte dëshirë të tradhtonte dhe se ende e donte gruan, por nis të afrohej me gra gjatë daljeve apo pas punës. “Në fillim ndihesha fajtor, i trembur, por edhe i gjallë – ishte emocionuese.”
Brenda pak muajsh, filloi të frekuentonte klube nate çdo fundjavë, fliste me shumë gra dhe kishte një telefon të veçantë për t’i kontaktuar. Ndryshoi mënyrën e veshjes dhe shmangte daljet në vende ku mund të njihej.
Ai pretendon se kjo gjë ndikoi pozitivisht në martesë. “Nuk isha më i acaruar, isha më i duruar – një burrë dhe baba më i mirë sepse nevojat e mia intime po përmbusheshin.”
Me punën e re, situata mori një tjetër drejtim. Filloi të mos e mbante më unazën dhe prezantohej si beqar. Në një rast, lidhi një marrëdhënie me një vajzë më të re dhe e takonte çdo ditë pas pune. E ndërpreu lidhjen pasi ajo filloi të kishte ndjenja serioze për të.
Më pas, kaloi një fundjavë intime me një trajnere fitnesi që e njohu në Instagram dhe që prej atëherë ka pasur disa lidhje afatshkurtra. Ai thekson se i mban të shkurtra për të shmangur përfshirjen emocionale të grave.
“E di që ajo që bëj është gabim, por gruaja ime është po aq fajtore për atë që ndodhi mes nesh,” thotë ai. Megjithatë, pranon se ende e do gruan dhe nuk dëshiron të prishë familjen.
“Nuk jam arrogant,” shton ai. “Nuk besoj se jam i vetmi burrë që ka menduar të tradhtojë pasi ka bërë fëmijë. E fillova martesën i dashuruar – nuk kisha ndërmend ta tradhtoja kurrë.”