Ermal Peçi ka reaguar për herë të parë ndaj pezullimit të papritur të emisionit të tij “E Diela Jonë” në RTSH, duke ngritur zërin kundër asaj që ai e cilëson si një vendim të paarsyeshëm, të pashpjeguar dhe në shkelje të ligjit.
Në një deklaratë të gjatë në Instagram, moderatori ka denoncuar faktin se ndërprerja e programit ndodhi pa paralajmërim dhe pa ndjekur asnjë procedurë zyrtare, pavarësisht suksesit të emisionit dhe ndikimit të tij në publik dhe rrjete sociale.
“RTSH nuk është pronë private. Është një institucion publik. Çdo program aty duhet të ekzistojë për publikun – jo të mbyllet mes sezonit,” – shkruan Ermal Peçi në mesazhin e tij drejtuar publikut dhe drejtuesve të RTSH.
Moderatori thekson se pas dy sezoneve të suksesshme, vendimi për ndërprerjen e “E Diela Jonë” u mor në mënyrë të njëanshme dhe pa arsye të qarta.
Ai shprehet i zhgënjyer për mënyrën sesi janë trajtuar jo vetëm ai si moderator dhe autor, por edhe ekipi i emisionit dhe vetë publiku që e mbështeti programin.
“Unë nuk do të hesht dhe as nuk do të ndalem. Transparenca në një media publike është jo vetëm e nevojshme, por e detyrueshme. Publiku ka të drejtë të dijë arsyet e vërteta të çdo vendimi që prek programet që ndjek, përqafon, shikon dhe klikon,” – shton Peçi, duke lënë të kuptohet se kjo çështje nuk do të mbyllet me kaq.
Rasti i Peçit nuk është i vetmi. Kohët e fundit, RTSH është përballur me një sërë kritikash publike për mënyrën sesi po menaxhon programet dhe marrëdhëniet me figurat publike të ekranit.
Elona Jaçellari, ish-moderatore e emisionit “Jetë Shqiptare”, ka folur publikisht për ndërprerjen e papritur të programit të saj, duke akuzuar drejtoreshën e RTSH-së, Aurora Polo, për mospërfillje, mungesë transparence dhe vendime të njëanshme.
Në një intervistë për “The Dalina Show”, edhe Alban Dudushi, një tjetër figurë mediatike me përvojë, e ka kritikuar largimin e tij nga RTSH, duke e konsideruar si pasojë të një drejtimi të paaftë dhe të pavetëdijshëm për punën që bëhet në media publike.
Ndërsa zërat e figurave të njohura të ekranit sa vijnë e shtohen, RTSH nuk ka dhënë ende një sqarim zyrtar, ndonëse ligjërisht ka detyrimin për transparencë.