Gazetari kosovar Bahtir Cakolli ka ndarë me publikun disa fotografi të rralla dhe ekskluzive nga vitet ’90, ku ai shihet duke realizuar një intervistë me këngëtaren e njohur shqiptare, Parashqevi Simakun.
Fotot e veçanta janë publikuar nga gazetari në rrjetet sociale, duke u bërë menjëherë temë diskutimi.
“Kujtime me Parashqevi Simakun, në intervistën e parë me të gjatë fillimviteve të 90-ta. Kënaqësi biseda me të, por edhe thjesht interpretimi dhe zëri i saj i mahnitshëm!” – ka shkruar Cakolli, duke rikujtuar një nga momentet e veçanta të karrierës së tij si gazetar.
Këngëtarja, e cila dikur magjepste publikun shqiptar me zërin dhe interpretimin e saj, ka qenë në fokusin e mediave ditët e fundit.
Shfaqja e saj në televizion në SHBA, ku u raportua se jeton si e pastrehë, ka prekur zemrat e shqiptarëve kudo në botë dhe ka rikthyer vëmendjen ndaj jetës dhe karrierës së saj.
Kujtimet e ndara nga gazetari Cakolli përbëjnë një reflektim të veçantë mbi një epokë ku Parashqevi Simaku ishte një yll i padiskutueshëm i muzikës shqiptare.