Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak kanë paralajmëruar se reshje të dendura priten gjatë ditëve në vijim, duke u përqendruar kryesisht në qarqet veriore të vendit.
Reshjet intensive do të prekin më shumë zonat e Shkodrës, Kukësit, Dibrës, Tiranës, dhe Elbasanit, ku intensiteti pritet të jetë nga “intensiv” deri në “shumë intensiv.”
Në qarqet e tjera të Shqipërisë, reshjet do të jenë mesatare, por në disa zona mund të arrijnë nivelin “intensiv.”
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka kërkuar gatishmëri të lartë nga të gjitha strukturat përgjegjëse për emergjencat civile. Institucionet janë udhëzuar të:
- Monitorojnë nivelin e lumenjve dhe rezervuarëve.
- Garantojnë funksionimin e infrastrukturës rrugore dhe hidrovoreve.
- Sigurojnë furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.
AKMC gjithashtu ka bërë thirrje për bashkitë dhe prefekturat që të mobilizojnë strukturat e emergjencave civile për të parandaluar dhe menaxhuar çdo situatë të mundshme kritike.
Zona veriore është më e ekspozuara ndaj përmbytjeve, veçanërisht ato pranë lumenjve dhe rezervuarëve. Banorëve u këshillohet të tregohen vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për të shmangur rreziqet.