Padyshim që filmi “Lulëkuqet mbi mure” është një ndër filmat më të shikuar e pëlqyer shqiptar, dhe pse është realizuar që para 47 vitesh.
Ky film flet për jetën e fëmijëve në një ndër jetimoret e Tiranës kur Shqipëria ishte ende nën pushtimin e Italisë në fillim të Luftës së Dytë Botërore, dhe në të gjejmë shumë aktorë të dalluar të kinematografisë shqiptare si Timo Flloko, Pavlina Mani, Kadri Roshi dhe të tjerë.
Më në fund është bërë e mundur që ky film të vijë para shikuesve të rinj në një kualitet shumë herë më të mirë, atë 4K, pas mbështetjes financiare të mundësuar nga “Sezoni i Filmave Klasikë” 2023 i Association des Cinémathèques Européennes dhe programi Creative Europe Desk – MEDIA.
“Lulëkuqet mbi mure”, që u realizua në vitin 1976 nga regjizori i njohur Dhimitër Anagnosti, u restaurua në studion prestigjoze Dabimus srl, pjesë e Universitetit “Aldo Moro” në Bari, Itali.
Tashmë ju do të keni mundësinë gjithashtu ta shikoni dhe në YouTube këtë version të restauruar në cilësi maksimale, e cila do të jetë e pajisur me titra në gjuhë të ndryshme, si për shembull anglisht apo italisht.