Aktivistja e klimës Greta Thunberg u arrestua së bashku me aktivistë të tjerë gjatë një proteste në Lutzerath, Gjermani, kundër prishjes së një fshati për t’i hapur rrugë zgjerimit të një miniere qymyri.
Zona po shkatërrohet me buldozer për të zgjeruar një minierë linjiti (lloj qymyrguri në ngjyrë kafeje të errët). Ambientalistët thonë se shkatërrimi i fshatit për të zgjeruar minierën do të rezultonte në sasi të mëdha të emetimeve të gazit serrë.
Qeveria argumenton se qymyri është i nevojshëm për të garantuar sigurinë energjetike të Gjermanisë.
Aktivistja suedeze iu drejtua rreth 6,000 protestuesve që marshuan drejt Luetzerath të shtunën, duke e cilësuar zgjerimin e minierës një “tradhti të brezave të tanishëm dhe të ardhshëm”.
“Gjermania është një nga ndotësit më të mëdhenj në botë dhe duhet të mbajë përgjegjësi”, tha ajo.
Thunberg u lirua pasi autoritetet bënë kontrollin e identitetit.