Yll Limani bën dedikimin prekës për Shpat Kasapin para mijëra fansave

Një mbrëmje e mbushur me muzikë, energji dhe emocione të forta ishte ajo që Yll Limani i dhuroi publikut në Shkup.

Mijëra fansa u mblodhën për të ndjekur nga afër këngëtarin, duke e kthyer koncertin në një kor gjigant ku çdo varg u këndua njëzëri.

Hitet më të njohura të artistit dhe atmosfera elektrizuese mbajtën publikun të përfshirë gjatë gjithë mbrëmjes. Megjithatë, mes ritmit dhe ovacioneve, Ylli zgjodhi ta ndalte për pak çaste performancën për një moment të veçantë dhe mjaft emocionues.

Përpara të pranishmëve, këngëtari kujtoi Shpat Kasapin, duke folur për ndikimin e madh që ai kishte pasur në formimin e tij artistik dhe në dashurinë e tij për muzikën.

“Shpat Kasapi është një nga artistët me më së shumti ndikim në muzikën shqiptare dhe një nga ata artistë që më ka formuar”, u shpreh Ylli.

Ai tregoi se ishte rritur duke dëgjuar këngët e Shpatit dhe se njihte pothuajse çdo material të repertorit të tij.

Edhe pse nuk kishin pasur mundësinë të njiheshin nga afër, takimet e rastësishme mes tyre kishin mbetur të paharrueshme për Yllin.

“Kur isha i vogël, i doja shumë këngët e tij dhe nuk kishte këngë që nuk ia dija. Nuk e kam njohur personalisht, por dy-tri herë e kam takuar në aeroport dhe gjithmonë jam shtangur nga ideja që takova idhullin e fëmijërisë sime”, rrëfeu ai me emocion.

Pas këtyre fjalëve, Yll Limani interpretoi një këngë në nder të Shpat Kasapit. Publiku në Shkup e priti dedikimin me duartrokitje të gjata, duke u bashkuar në një moment që solli në skenë kujtimin dhe trashëgiminë muzikore të artistit të ndjerë.

Dedikimi ishte një nga momentet më të ndjera të koncertit, duke dëshmuar se muzika e Shpat Kasapit vazhdon të jetojë te publiku dhe te artistët që u frymëzuan prej tij.