Ndërsa Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi kanë dominuar skenën e futbollit botëror për dy dekada duke rivalizuar fort për “Topin e Artë”, partneret e tyre po dëshmojnë një realitet krejtësisht ndryshe.
Georgina Rodriguez dhe Antonela Roccuzzo duket se shkojnë mjaft mirë me njëra-tjetrën dhe këtë e kanë vërtetuar së fundmi përmes një shkëmbimi miqësor në rrjetet sociale që ka befasuar fansat.
Antonela ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një foto të një dhurate të veçantë: një komplet të plotë me pajisje joga nga marka e veshjeve sportive “Mimoa”, e cila menaxhohet nga Georgina.
Bashkëshortja e Messit nuk ka ngurruar ta falënderojë publikisht partneren e Ronaldos, duke shkruar:
“Faleminderit shumë Georgina. Çdo gjë është e bukur. Të uroj gjithë suksesin e botës.”

Ky gjest miqësor ka sjellë reagime të shumta te fansat, të cilët kanë mbetur të habitur nga kjo “degë ulliri” e paqes mes dy kampeve. “Uau, kjo është vërtet e bukur,” ka shkruar një ndjekës, ndërsa një tjetër e ka konsideruar si një “crossover të mrekullueshëm”.
Megjithatë, nuk kanë munguar as komentet me humor, ku një fans ka bërë shaka duke thënë se kjo mund të jetë një “magji” e Georginës në kohën kur Messi po udhëheq Argjentinën në Botëror.
Në fakt, ky nuk është momenti i parë që ato shfaqin afrimitet, pasi shpesh kanë mbështetur njëra-tjetrën duke i bërë “like” postimeve në rrjetet sociale.
