Ngjarja e rëndë e ndodhur së fundmi në qytetin e Fierit, ku një e mitur u dhunua barbarisht nga disa bashkëmoshatare të saj, ka marrë përmasa edhe më tronditëse pas zbulimit të detajeve të reja.
Gazetarja Laureta Roshi, në një prononcim për “Radar Media”, ka hedhur dritë mbi jetën problematike dhe të shkuarën e vajzave abuzuese, duke zbuluar një realitet të hidhur familjar dhe social pas atij akti të dhunshëm.
Sipas gazetares, përtej mungesës së reagimit nga shkollat për shkak të pushimeve verore, problemi i vërtetë qëndron te mungesa e theksuar e trajtimit psikologjik dhe pasojat e familjeve të shkatërruara.
Ajo shpjegoi se këto vajza kanë gjetur “ngushëllim” te njëra-tjetra duke krijuar një grup me halle të ngjashme, të cilat variojnë nga prindër në emigracion deri te prindër në burg për dhunë në familje, ndërsa theksoi edhe motivin banal të ngjarjes.
“Ajo që do ishte mirë, është trajtimi i tyre psikologjik në terapi të trajtuara mirë, duke i hyrë me themel problemeve të tyre emocionale… Janë disa elementë që tregojnë një shtypje të emocioneve të këtyre adoleshenteve dhe kanë krijuar një lloj grupi me “halle” të ngjashme. Tatuazhet e tyre janë shumë të frikshme! Njëra nga vajzat ka një kallashnikov në parakrahun e saj, tjetra kishte ditëlindjen e të dashurit. Sa mund të marrësh seriozisht një raport kur je 15 vjeç apo të konfliktohesh dhe të ushtrosh dhunë fizike dikë që ka guxuar t’i afrohet të dashurit të njërës apo tjetrës?!
Por detajet më rrëqethëse lidhen me historikun e dhunës brenda vetë familjeve të abuzueseve dhe neglizhencën e thellë prindërore.
Gazetarja zbuloi se njëra prej të miturave ishte denoncuar më herët nga vetë nëna e saj për ushtrim dhune, ndërsa në një rast tjetër, një prind kishte zgjedhur të gënjente autoritetet.
“Njëra nga vajzat abuzuese dhunonte edhe nënën e saj. Ajo kishte mbërritur me nënën e saj më herët në Drejtorinë e Policisë dhe ishte denoncuar nga vetë nëna për akte dhune, për largim nga banesa me orë të tëra dhe kthim në orë të para të mëngjesit. Është për të ardhur keq sepse babai i njërës nga vajzat abuzuese, erdhi në drejtorinë e policisë dhe numrin e telefonit e la gabim (enkas). Ishte një familje me prindër të divorcuar, vajza ishte nën kujdestarinë e nënës, por nëna ishte në emigracion kështu që u paraqit i ati i cili vendosi të bënte hile duke dhënë një numër të rremë”
Këto të dhëna nxjerrin në pah një kambanë të fortë alarmi për institucionet sociale, duke treguar se agresiviteti i shfaqur rrugëve shpesh është vetëm pasqyra e traumave të thella dhe mungesës së prindërimit brenda mureve të shtëpisë.
