Në rrugët e Tiranës, ku protestat qytetare vazhdojnë të mbeten aktive prej plot 33 ditësh, ka nisur një formë e re dhe mjaft e ashpër revolte ndaj personazheve të njohur publikë.
Qytetarët kanë vendosur t’u “vënë kryqin” disa prej emrave më të mëdhenj të showbiz-it dhe ekranit shqiptar, duke kërkuar bojkotimin apo fshirjen e tyre nga vëmendja publike (cancel culture).
Nëpër pemët dhe shtyllat e kryeqytetit janë parë të ngjitura fletë me fotot e portreteve të këtyre personazheve, mbi të cilat është vizatuar një kryq i madh me ngjyrë të kuqe mbi fytyrë.
Sipas mesazheve që shoqërojnë këtë aksion, ky vendim vjen si pasojë e heshtjes së tyre totale dhe mosngritjes së zërit në mbështetje të kauzave qytetare që po trajtohen në këto tubime.
Protestuesit shprehen të revoltuar sepse, sipas tyre, ndërkohë që vendi ndodhet në këtë situatë, këta individë kanë zgjedhur të mos bëjnë asnjë reagim publik, duke preferuar të vazhdojnë postimet e zakonshme nga jeta e tyre e përditshme, luksoze dhe krejtësisht të shkëputur nga realiteti aktual.
Në listën e emrave të shënjestruar nga ky veprim bëjnë pjesë artistë të njohur si Aurela Gaçe, Elvis Naçi, Elvana Gjata dhe Alban Skënderaj, si dhe moderatori Ardit Gjebrea e aktori Salsano Rrapi.
Ndërkohë, midis fotove të afishuara, akuzat janë edhe më specifike për figura të tilla Blendi Fevziu dhe Arjan Curri.
Për këta dy të fundit, protestuesit pretendojnë se përtej mosmbështetjes, kanë bërë edhe propagandë të hapur mediatike kundër qëllimit të këtyre tubimeve qytetare.
Kjo formë reagimi tregon rritjen e presionit publik mbi personazhet VIP, nga të cilët shoqëria civile po kërkon gjithnjë e më shumë të mbajnë qëndrime të qarta për çështjet me interes kombëtar dhe social, duke mos toleruar më neutralitetin e tyre.
