Një çift rus u arrestua në New York pasi u ngjitën në antenën e ndërtesës ikonike Empire State Building dhe shpalosën një banderolë me mesazhin “Kur fuqia e dashurisë mund dashurinë për pushtet, bota njeh paqe”, në një akt që dyshohet të ketë qenë pjesë e një propozimi martese të pazakontë në lartësi ekstreme.
Çifti, i identifikuar nga policia si Angelina Nikolau dhe Ivan Kuznetsov (të njohur edhe për aktivitetet e tyre “rooftopping”), u pa duke u ngjitur pa pajisje sigurie në strukturën metalike të antenës së ndërtesës 102-katëshe, rreth 443 metra mbi Midtown Manhattan.
Ata mbanin veshje të zeza dhe maska, ndërsa qëndronin në një parvaz shumë të ngushtë dhe u përpoqën të realizonin foto dhe video në majë të ndërtesës.
Pamjet nga një helikopter televiziv treguan çiftin duke u puthur dhe duke valëvitur banderolën, para se të zbrisnin në një platformë më të gjerë ku u pa një moment që dukej si propozim martese.
Njëri prej tyre u ul në gjunjë, ndërsa tjetri pozoi sikur po shikonte një unazë dhe më pas realizoi selfie me pamjen e Nju Jorkut në sfond.
Pas disa minutash në lartësi, oficerët e Njësisë së Shërbimeve të Emergjencës së Policisë së New York-ut u ngjitën me shkallë në strukturë për t’i ndërprerë.
Sipas videove të kamerave trupore të policisë, ata i paralajmëruan: “Nuk mund të qëndroni këtu”. Çifti u përgjigj duke thënë se “jemi të fejuar”, para se të zbriste dhe të takohej me policinë pa rezistencë.
Stafi menaxhues i ndërtesës deklaroi se incidenti ishte i paautorizuar dhe se nuk kishte rrezikuar vizitorët apo punonjësit, megjithëse nuk u dhanë detaje se si çifti arriti të depërtonte në zonat e ndaluara të sigurisë.
Autoritetet i akuzuan për vepra si hyrje e paligjshme, rrezikim të sigurisë publike dhe shkelje të tjera ligjore. Hetimet për mënyrën e aksesit të tyre në antenë vijojnë.
