FOTO/ Zbulohet identiteti i vajzës bjonde që hyri në burgun e Peqinit, detaje nga hetimet

Janë zbuluar detaje të reja lidhur me rastin e vajzës bjonde që hyri në ambientet e burgut të sigurisë së lartë në Peqin, një çështje që u bë publike pas denoncimit të deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka.

Sipas informacioneve të publikuara nga gazetari Elton Qyno, vajza në fjalë identifikohet me emrin Anxhela M. dhe dyshohet se ka hyrë në burgun e Peqinit gjatë muajit prill 2025, në periudhën kur vendi ndodhej në kulmin e fushatës për zgjedhjet parlamentare.

Burime nga organet hetimore bëjnë me dije se rasti është referuar në Prokurorinë e Elbasanit nga Drejtoria e Inspektimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila ka administruar dokumentacionin përkatës dhe ka evidentuar hyrjen e saj në institucion.

Ndërkohë, është identifikuar edhe personi që ka filmuar pamjet brenda burgut. Sipas raportimeve, videoja është realizuar nga një edukatore sociale, ndaj së cilës kanë nisur procedurat disiplinore.

Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota të hyrjes së A.M. në burgun e Peqinit. Dyshimet paraprake flasin se ajo mund të ketë zhvilluar takime me persona të dënuar që vuajnë dënimin në këtë institucion.

Rasti është pjesë e një hetimi më të gjerë që po zhvillohet nga disa prokurori në vend, pas dyshimeve për hyrje të personave të jashtëm në burgje përmes dokumentacioneve të ndryshme, përfshirë deklarata bashkëjetese, autorizime si avokate apo dokumente profesionale të tjera.

Sipas të dhënave të publikuara, në total janë nën verifikim 17 raste hyrje-daljesh në institucione të ndryshme të vuajtjes së dënimit, ndërsa organet kompetente po hetojnë mënyrën se si është arritur të sigurohen këto takime me persona të konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.