VIDEO/ Publikohen pamjet nga incidenti në protestën e djeshme

Janë publikuar pamjet nga incidenti i ndodhur mbrëmjen e së shtunës gjatë protestës së 21-të në Tiranë, ku një protestues i maskuar është ngjitur pranë zonës së muzeut “Shtëpia me Gjethe” dhe ka hequr flamurin e Shtetit të Izraelit, i vendosur në afërsi të Ambasadës së Izraelit.

Ngjarja ndodhi gjatë tubimit ku mijëra qytetarë u mblodhën në kryeqytet për të protestuar kundër qeverisë dhe për të kërkuar ndryshime politike, ndërsa pamjet e incidentit u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale.

Në videot e publikuara shihet momenti kur protestuesi ngjitet pranë zonës ku ishte vendosur flamuri dhe e tërheq atë, veprim që ka shkaktuar reagime të menjëhershme.

Pas incidentit ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila e dënoi veprimin përmes një deklarate zyrtare.

“Ky akt i turpshëm bie ndesh me traditën e gjatë shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin. Ai nuk përfaqëson Shqipërinë dhe as popullin shqiptar, por vetëm ata që kërkojnë të provokojnë dhe të përhapin urrejtje”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Institucioni theksoi se heqja dhe përdhosja e flamurit të një misioni diplomatik nuk mund të konsiderohet pjesë e lirisë së shprehjes apo e së drejtës për protestë paqësore, por një akt që nxit përçarje dhe intolerancë.

Më tej, Ministria riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Ndërkohë, pamjet e incidentit vijojnë të komentohen gjerësisht në rrjet, teksa mbetet e paqartë nëse do të ketë identifikim apo masa ndaj personit që kreu veprimin.