“Çohu, ik që tani…”- Sidorela Gjoni përplaset me Albatros Rexhajn

Një moment i tensionuar është regjistruar në studion e emisionit “Shqipëria Live”, ku moderatorja Sidorela Gjoni u përfshi në një debat të fortë me shkrimtarin Albatros Rexhaj.

Përplasja nisi kur Rexhaj komentoi intervistën e zhvilluar pak ditë më parë mes Sidorela Gjonit dhe kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar moderatoren se e kishte “bullizuar” kreun e qeverisë gjatë bisedës së tyre.

“Ti Sidorela në atë intervistë e bullizove fund e krye kryeministrin. Ti pate momentin tënd aty dhe e shfrytëzove. E bullizove me deklarata, me fjalë dhe ai të qëndroi ty aty”, u shpreh Rexhaj.

Nga ana tjetër, moderatorja kundërshtoi menjëherë këtë pretendim dhe i kërkoi të specifikonte se cila ishte fjala apo deklarata që sipas tij përbënte bullizim.

Debati u tensionua edhe më tej kur Rexhaj insistoi në qëndrimin e tij, ndërsa Sidorela Gjoni i ndërpreu fjalën duke i kërkuar të përgjigjej fillimisht pyetjeve të saj.

Në kulmin e debatit, moderatorja i tha se mund të largohej nga studio nëse nuk pranonte rregullat e diskutimit.

“Po ti mund të largohesh që tani. Albatros mund të largohesh që tani”, i tha ajo.

Rexhaj u ngrit nga vendi dhe vendosi të largohej, ndërsa gjatë daljes nuk kurseu kritikat ndaj emisionit.

“Keni mjaftueshëm njerëz që e shajnë Ramën. Mua nuk më bëni dot. Problemin e kemi me njerëzit që mendojnë ndryshe”, deklaroi ai para se të dilte nga studio.

Ndërkohë, Sidorela Gjoni e mbylli situatën me ironi, duke iu drejtuar të ftuarit:

“Albatros, unë e mbush studion me njerëz të ndryshëm që mendojnë ndryshe. Dhe faleminderit për shfaqjen fantastike televizive që më dhurove.”

Momenti është bërë menjëherë viral në rrjetet sociale dhe po komentohet gjerësisht nga publiku.