Teksa protestat kundër projektit 4 miliardë dollarësh në Zvërnec kanë hyrë në ditën e 16-të, një deklaratë e ardhur nga përfaqësuesja më e lartë diplomatike amerikane në Tiranë ka tërhequr vëmendje të veçantë.
E ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane në Shqipëri, Nancy VanHorn, ka folur për klimën e investimeve dhe rëndësinë e sigurisë së sektorëve strategjikë, në një kohë kur debati për projektin në Zvërnec vijon të dominojë opinionin publik dhe protestat qytetare vazhdojnë çdo ditë.
Gjatë prezantimit të mekanizmit për shqyrtimin e investimeve të huaja, VanHorn theksoi se investimet që sjellin zhvillim ekonomik duhet të mirëpriten, por pa cenuar interesat strategjike dhe sigurinë kombëtare.
“Kur Presidenti Trump shpalli politikën e investimeve të Amerikës vitin e kaluar, ai theksoi një parim të thjeshtë: mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt. Qasja e Shqipërisë për shqyrtimin e investimeve është ndërtuar mbi të njëjtin parim. Dhe kjo përputhje ka rëndësi”, deklaroi ajo.
Diplomatja amerikane nënvizoi se miratimi i ligjeve është vetëm hapi i parë, ndërsa sfida reale mbetet zbatimi i tyre në praktikë.
“Investitorët po i kushtojnë vëmendje, përfshirë ata amerikanë. Kompanitë amerikane janë këtu, në energji, ndërtim dhe teknologji – dhe shumë të tjera po shikojnë të vijnë. Por investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla si ne”, u shpreh VanHorn.
Deklarata e saj vjen në një moment të ndjeshëm politik dhe social, teksa kundërshtimet ndaj projektit në Zvërnec kanë prodhuar protesta të vazhdueshme në disa qytete të vendit.
Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama deklaroi se kundërshtimet ndaj investimit po dëmtojnë klimën e biznesit dhe imazhin e Shqipërisë përballë investitorëve të huaj.
Ndërkohë, organizatorët e protestave kanë bërë të ditur se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, duke këmbëngulur se kundërshtimi i tyre lidhet me mbrojtjen e interesit publik dhe të zonave të konsideruara strategjike.
