Aktori i njohur Romir Zalla i dha fund rrugëtimit të tij në “Ferma VIP”, pasi u eliminua në gjysmëfinale, vetëm pak ditë larg finales së madhe.
Ai ishte një nga konkurrentët që iu bashkua spektaklit që në ditën e parë dhe për muaj me radhë arriti të mbetej pjesë e garës.
Megjithatë, që në javët e para të formatit, emri i tij u lidh me një mister që ngjalli jo pak kuriozitet te publiku. Në një intervistë të dhënë disa javë më parë për Vizion Plus, vajza e aktorit u pyet lidhur me arsyen e hyrjes së babait të saj në “Ferma VIP” dhe nëse pas pjesëmarrjes së tij fshihej një kauzë e veçantë.
Ajo zgjodhi të mos japë detaje, duke deklaruar se nuk i takonte asaj ta zbulonte dhe se ishte vetë Romir Zalla personi që do të vendoste nëse do ta bënte publike apo jo.
Deklarata la të kuptohej se në një moment gjatë rrugëtimit të tij në fermë, aktori do të ndante me publikun një mesazh apo një kauzë të rëndësishme.
Por me kalimin e javëve, një gjë e tillë nuk ndodhi. Romir Zalla vijoi lojën, u përfshi në sfidat dhe dinamikat e spektaklit, por nuk bëri asnjë deklaratë që të lidhej me kauzën e përfolur.
Tashmë, pas eliminimit të tij në prag të finales, pyetja që po shtrojnë shumë ndjekës është e thjeshtë: çfarë ndodhi me kauzën që u la të nënkuptohej se fshihej pas hyrjes së tij në “Ferma VIP”?
Për momentin nuk ka asnjë shpjegim publik nga vetë aktori, ndërsa misteri mbetet ende i pazgjidhur. Nëse Romir Zalla do të zgjedhë ta sqarojë këtë çështje pas daljes nga formati, mbetet për t’u parë në ditët në vijim.
