Klevisa e “Ferma VIP” në një romancë me reperin e njohur shqiptar

Ish-konkurrentja e “Ferma VIP 3”, Klevisa, ka bërë një nga deklaratat më interesante që prej largimit nga spektakli, duke konfirmuar sërish se është në një lidhje jashtë fermës dhe duke zbuluar për herë të parë disa detaje rreth partnerit të saj.

E ftuar në “Ferma Club”, ajo foli për eksperiencën e saj në reality show, por edhe për raportin që krijoi me Indrin gjatë qëndrimit në fermë, një afërsi që u komentua jo pak nga publiku.

Gjatë intervistës, opinionistja Çiljeta Xhilaga e pyeti nëse partneri i saj jashtë fermës kishte shfaqur xhelozi për raportin me Indrin. Klevisa nuk e fshehu të vërtetën dhe, mes të qeshurash, pranoi se ai kishte qenë “shumë xheloz”.

Biseda mori një tjetër kthesë kur Çiljeta e ngacmoi duke i thënë nëse afrimiteti me Indrin ishte bërë për t’ia “çjerë maskën” atij. Klevisa u përgjigj shkurt, duke qeshur: “Po”.

Më pas moderatorët tentuan të mësonin identitetin e personit që i ka rrëmbyer zemrën, por Klevisa zgjodhi të mos e zbulojë emrin. Megjithatë, ajo la të kuptohet se bëhet fjalë për një reper të njohur shqiptar.

“Mos është shoku im?”, ndërhyri me humor Çiljeta, duke shkaktuar të qeshura në studio.

Edhe pse nuk pranoi të tregojë se për kë bëhet fjalë, Klevisa dha një detaj tjetër që ka shtuar kuriozitetin në rrjet. Ajo tregoi se partneri i saj është katër vite më i madh në moshë.

“Unë jam 19 vjeç, ai është 23”, u shpreh ish-fermerja.

Pas kësaj deklarate, rrjetet sociale kanë nisur menjëherë aludimet për identitetin e reperit misterioz, ndërsa vetë Klevisa ka preferuar të mbajë ende sekret emrin e tij.