Sulmet e forta ndaj saj, Dea Mishel i reagon publikisht Grida Dumës: “Më zhgënjeve. Ajo që pash në emision tënd dje…”

Dea Mishel ka reaguar publikisht pas diskutimeve që u zhvilluan një natë më parë në emisionin e Grida Dumës, ku emri i saj u përmend nga disa prej të ftuarve në studio, mes tyre edhe Bledi Mane.

Përmes një postimi të gjatë në Instagram, ish-banorja e “Big Brother VIP Albania” shprehet e zhgënjyer nga mënyra se si është trajtuar në emision, duke vënë theksin te fakti se nga i gjithë programi është shpërndarë në rrjetet sociale pikërisht momenti ku, sipas saj, është denigruar me shpifje dhe ofendime.

Grida Duma, çfarë kam parë në emisionin tënd dje më ka kapur të papërgatitur dhe po, më ka trishtuar. Jam e zhgënjyer nga fakti që në një program me kohëzgjatje 1 orë e 22 minuta, highlight-i i vetëm që ti zgjedh të shpërndash në llogarinë tënde në Instagram është momenti kur unë po denigrohem duke u përdorur shpifje, ashtu siç nuk do e meritonte asnjë vajzë!“, shkruan ajo.

Më tej, Dea pretendon se ndërhyrjet e moderatores nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndalur deklaratat ndaj saj dhe se vazhdimi i diskutimit në studio ka dhënë një mesazh tjetër nga ai që është shprehur publikisht.

“Ti këtë e di mirë, pasi vetë e përsërite disa herë se është e palejueshme. Por veprat flasin më shumë se fjalët. Fjalët, sado të bukura, nuk mund të shpëtojnë askënd nga një vepër e pahijshme”, shprehet ajo.

Në reagimin e saj, Dea lë të kuptohet gjithashtu se sulmet ndaj saj lidhen me refuzimin për të marrë pjesë në emision dhe me angazhimin e saj publik në protestat e fundit.

“Do ishte më e ndershme ta shprehnit haptazi se ju ka hidhëruar refuzimi im për ftesën tuaj, ndaj po shikoj këto klipe sot. Klipe, që siç kanë komentuar dhe të tjerë, përngjajnë me gjyqet e një sistemi të kaluar“, shkruan ajo.

Në fund të mesazhit, Dea Mishel thekson se nuk do t’u përgjigjet provokimeve me të njëjtën gjuhë dhe e konsideron situatën si pjesë të kostos që sjell shprehja e lirë e mendimit.

Me vjen keq vërtet, që një grua të cilën e kam vlerësuar, bëhet pjesë e sulmeve kundër meje, vetëm për përfshirjen time të hapur në protestë. Nëse mendoni se me këto provokime do të nxirrni diçka të shëmtuar nga unë, jeni gabim”, përfundon ajo në reagimin e saj.