Aktori dhe ish-banori i “Big Brother VIP Kosova”, Rezart Veleshnja, është marrë i pandehur për veprën penale të mashtrimit, ndërsa çështja ndaj tij tashmë është dërguar për shqyrtim në gjykatë.
Sipas dosjes hetimore, kallëzimi është bërë nga Ylli Troplini, i cili pretendon se në vitin 2024 i dha për përdorim makinën e tij tip “Mitsubishi Pajero” pas një kërkese nga Veleshnja. Sipas dëshmisë së tij, aktori i kishte treguar se i nevojitej automjeti për shkak të gjendjes shëndetësore të nënës së tij, të cilën duhej ta shoqëronte për vizita dhe trajtime mjekësore.
Troplini pretendon se automjeti nuk iu kthye më dhe se më vonë mësoi që ishte shitur tek një person tjetër në zonën e Linzës në Tiranë.
Në dëshmitë e administruara nga prokuroria janë pyetur edhe persona të tjerë që kanë pasur dijeni për ngjarjen. Sipas tyre, Veleshnja kishte kërkuar makinën me argumentin se i duhej për arsye familjare, ndërsa më pas pronari kishte hasur vështirësi për ta kontaktuar dhe për të rimarrë automjetin.
Nga ana tjetër, Rezart Veleshnja ka dhënë një version tjetër të ngjarjes. Ai ka deklaruar se mes tij dhe Ylli Troplinit ka pasur një marrëveshje verbale, sipas së cilës automjeti do t’i jepej në këmbim të reklamimit të një pijeje energjike në rrjetet sociale.
Veleshnja ka pranuar se e ka shitur makinën, duke pretenduar se e konsideronte të tijën bazuar në marrëveshjen që thotë se kishte arritur me pronarin. Ai ka sqaruar gjithashtu se nuk disponon asnjë kontratë të shkruar për këtë marrëveshje.
Sipas materialeve hetimore, automjeti është shpallur në kërkim dhe autoritetet kanë tentuar sekuestrimin e tij, por deri më tani nuk është bërë i mundur lokalizimi.
Çështja pritet të shqyrtohet në gjykatë, ku palët do të paraqesin argumentet dhe provat e tyre për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
