Memet dhe batutat e internetit duket se mbeten armët më të forta të shqiptarëve, madje edhe kur bëhet fjalë për revolta politike.
Një pankartë e veçantë e shfaqur gjatë protestës së fundit ka rikthyer në vëmendje një nga përplasjet më virale në rrjetet sociale të ndodhur disa vite më parë mes Luiz Ejllit dhe kryeministrit Edi Rama.
Edhe pse bëhet fjalë për një replikë të vjetër, protestuesit e kanë “ri-gatuar” batutën, duke i dhënë një mesazh të fortë politik kreut të qeverisë.
Gjithçka nisi vite më parë kur Luizi, asokohe përpara periudhës së tij të artë në Big Brother, ironizonte fashat e orareve të vendosura nga qeveria:
“Dje nxore pensionistat, sot mamate. Te henen beje me alfabet: Le te dalin ata qe i fillon emri me A, te marten me B, etj. Kur te mberrish tek K…” – shkruante Luizi.
Përgjigjja e kryeministrit Rama nuk vonoi, duke e cilësuar si “humor kaps”, por mbyllja e debatit i takoi këngëtarit, i cili me ironi u kundërpërgjigj: “Po une tu drejtova si Kryeminister me K, pastaj se te shkon mendja tjera kund…”
Sot, kjo lojë fjalësh ka marrë një tjetër dimension në shesh. Protestuesit kanë krijuar një pankartë ku paralajmërojnë se këtë radhë rruga e alfabetit do të ndalet diku tjetër.
“Kesaj rradhe do te mberrish tek shkronja B (BURG)! Populli nuk perfaqesohet nga nje K qe e mendon veten si te tille!” – shkruhej në banderolën që u fotografua dhe u shpërnda masivisht në TikTok dhe Instagram.

