Protestat për Zvërnecin, acarohet Rama: “Shqipëria NUK është e shqiptarëve”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht lidhur me protestat e fundit që po zhvillohen kundër projektit të investimit në Zvërnec, ku mes të tjerash janë dëgjuar edhe thirrje për dorëheqjen e qeverisë.

Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit u ndal veçanërisht te disa prej sloganeve të përdorura nga protestuesit dhe në rrjetet sociale, duke i cilësuar ato si të prapambetura dhe të dëmshme për imazhin e vendit.

Në qendër të argumentit të tij, Rama mori shprehjen “Shqipëria është e shqiptarëve”, duke u shprehur se ky koncept bie ndesh me vetë traditën dhe kodet historike të vendit.

Sipas tij, referuar edhe Kanunit, filozofia shqiptare e mikpritjes bazohet në parimin se shtëpia nuk i përket vetëm të zotit, por ka një rëndësi më të gjerë universale dhe strategjike për hapjen ndaj botës.

Në deklaratën e tij, Edi Rama u shpreh: “Projektit që po i bëhet rezistencë në mënyrën më absurde është një investim prej 4 miliardë eurosh dhe është investimi më i madh në Evropë prej shumë vitesh, dhe ne ta bëjmë si lopa? Kur thotë populli, “e mbush kupën dhe i bie me shqelm në fund”? T’i tregojmë botës një vend krejt ndryshe nga sa jemi? Ta bëjmë si lopa duke e shpërndarë nëpër gjithë ato lumenj dhe kanale të llumit të rrjeteve sociale, lloj-lloj mesazhesh krejt të gabuara ku shqiptarët thonë atë që nuk e kanë thënë kurrë: “Shqipëria është e shqiptarëve”. Shqipëria nuk është e shqiptarëve, sepse shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, dhe këtë e thotë Kanuni. Shqiptarët janë të zotët e kësaj toke këtu, por shtëpia është e hapur për të gjithë. “Shqipëria është e shqiptarëve” të kujton atë sloganin e tmerrshëm të Gjermanisë naziste: “Gjermania është e gjermanëve”. Gjermaninë e gjermanëve, ata që e udhëhoqën atë komb med atë slogan, e katandisën dhe e bënë delen e zezë të botës.”