Berdane Braçellari, nëna e Violand Braçellarit, i dyshuar për vrasjen e efektivit të policisë Enea Mekolli dhe plagosjen e një tjetër efektivi, ka folur për herë të parë për ngjarjen e 4 qershorit.
Ajo pretendon se ndërhyrja e policisë në ambientet ku ndodhej i biri ka qenë vendimtare në përshkallëzimin e situatës dhe se, sipas saj, efektivët kanë qëlluar të parët pa dhënë paralajmërim për dorëzim.
Sipas dëshmisë së saj, ngjarja ka ndodhur në një stallë ku ajo ndodhej me të birin, i cili prej vitesh jetonte i fshehur në zona malore. Ajo thotë se i biri kishte refuzuar të dorëzohej për shkak të një dënimi që e konsideronte të padrejtë dhe mohon që ai të ketë pasur lidhje me kultivim apo trafik droge.
Në reagimin e saj, nëna e Braçellarit u shpreh e tronditur dhe me dhimbje për humbjen e jetës së efektivit, duke deklaruar se “më vjen keq, edhe djali im të kishte vdekur”.
Ajo shtoi se situata, sipas saj, mund të ishte shmangur nëse do të ishte bërë një thirrje për dorëzim dhe jo përdorim i menjëhershëm i armëve.
