Surpriza magjike që Flori Mumajesi i bëri Soni Malajt brenda “Ferma VIP” po vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes dhe të komentohet gjerësisht në rrjet.
Teksa në sfond nisi të dëgjohej dueti i tyre historik “Fluturimi 3470”, qielli mbi fermë u ndriçua nga një spektakël dronësh që mbanin mesazhe të dedikuara për këngëtaren, ku spikati fraza: “Jo 1 dron, por 300 dronë për ty”.
Ky gjest i veçantë erdhi si përgjigje pasi disa kohë më parë, Moza i bëri një thirrje publike Florit që t’i dërgonte një shenjë ish-partneres së tij, pikërisht në kohën kur Soni po u rrëfente fermerëve të tjerë historinë e tyre të bukur të dashurisë.
Momenti i dhurimit të surprizës e përloti dhe e emocionoi pa masë Sonin, e cila nuk i fshehu dot ndjenjat para banorëve.
Mirëpo, ajo që ka rindezur akoma më shumë thashethemet dhe ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi raportin e tyre aktual, ka qenë një deklaratë e fortë e Sonit gjatë një bisede të mëvonshme me Zhakun dhe Klevisën.
Teksa vajzat e pyetën me kuriozitet se sa kohë kishte zgjatur lidhja e tyre e dashurisë, Soni u përgjigj me një fjali që la pa fjalë ndjekësit:
“Nuk e di a jemi ndarë ndonjëherë”.
Ky pohim i papritur u bë menjëherë viral në rrjetet sociale, duke u shoqëruar me interpretime të shumta.
Megjithatë, mbetet ende mister nëse këngëtarja la të kuptohet se mes tyre ka ende ndjenja të pazbehuara, apo nëse i referohej thjesht lidhjes së fortë e të veçantë shpirtërore që dyshja ka arritur të ruajë me mjaft respekt përgjatë gjithë këtyre viteve.
