Pasi mori votat duke premtuar Shqipërinë 2030 në Europë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deklaruar gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Mal të Zi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian është i vështirë për t’u parashikuar.
I pyetur për perspektivën e integrimit, ai përdori një shprehje me nota humori për të përshkruar situatën.
“Tre gjëra nuk mund t’i parashikosh: Zotin, seksin dhe BE-në”, tha Rama, duke iu referuar pasigurive që shoqërojnë procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe ritmit të tij të ngadaltë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Deklarata e tij u bë pjesë e diskutimeve në samit dhe u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, duke reflektuar debatet e vazhdueshme mbi të ardhmen e zgjerimit të BE-së dhe marrëdhëniet me vendet e rajonit.
