FOTO/ Brenda projektit prej miliardash të Ivanka Trump në Sazan dhe Zvërnec

Plani i Ivanka Trump dhe Jared Kushner për të shndërruar ishullin e Sazanit në një resort luksoz po ecën përpara, pavarësisht protestave të qytetarëve dhe aktivistëve në Shqipëri.

Vajza e Presidentit amerikan Donald Trump deklaroi këtë javë se e zbuloi Sazanin krejt rastësisht, gjatë një udhëtimi me varkë me bashkëshortin e saj.

Ajo tregoi se ndaluan për të notuar, u ngjitën zbathur deri në majë të ishullit dhe mbetën të magjepsur nga vendi, gjë që e shtyu të niste këtë projekt miliardash.

Sazani është ishulli më i madh në Shqipëri dhe shërben si zonë ushtarake e mbrojtur, me një pozicion strategjik mes Ngushticës së Otrantos dhe Gjirit të Vlorës. Përtej natyrës dhe ujit të kaltër, ishulli mbart rreth 3,600 bunkerë bërthamorë të periudhës së Luftës së Ftohtë, dhjetëra milje tunele nëntokësore dhe depo municionesh të epokës komuniste.

Ekspertët kanë paralajmëruar gjithashtu se në zonë ka ende mina të paplasura që duhen pastruar përpara se të nisë çdo lloj ndërtimi.

Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e hoteleve përgjatë bregdetit të Zvërnecit, një zonë e njohur për mbrojtjen e faunës, si flamingot dhe breshkat e detit. Që nga fundi i majit, në këtë zonë janë vendosur rrethime me tela me gjemba për të mbajtur larg protestuesit nga mjetet e rënda që kanë mbërritur për të pastruar tokën nga pishat.

Gjatë përplasjeve me policinë në Tiranë dhe në terren, aktivistët kanë mbajtur pankarta me mesazhe si “Shqipëria nuk është në shitje”, “Duart jashtë tokës shqiptare” dhe “Sazani nuk është ishull privat, ai i përket popullit shqiptar”.

Aleksandër Trajçe, drejtor ekzekutiv i organizatës për ruajtjen e mjedisit PPNEA, u shpreh për mediat se ka një mungesë të plotë transparence nga fillimi në fund, pasi nuk ka pasur asnjë konsultim publik apo dokumentacion zyrtar për lejet.

Ai shtoi se diskutimet mund të nisin vetëm nëse hiqen fadromat, largohen rrethimet dhe habitati kthehet në gjendjen e mëparshme. Nga ana tjetër, lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se mbështet projektet e rinovimit, por ngriti shqetësimin se kryeministri Edi Rama mund të jetë duke u përpjekur të blejë influencë politike nga Trump.

Kryeministri Rama ka mbrojtur planin duke thënë se ai përputhet me ambicien e Shqipërisë për t’u bërë një destinacion i rëndësishëm turistik global. Ai theksoi se vendi nuk duhet t’i frikësohet një projekti ku partnerë të jashtëzakonshëm investojnë 4 miliardë euro dhe shtoi se nuk ka asnjë shans që investimi të ndalet sa të jetë ai në detyrë.

Megjithatë, pas reagimeve të shumta, Rama u shpreh se ende nuk ka një projekt përfundimtar, nuk bëhet fjalë për një ishull privat të familjes Trump dhe as për marrjen e zonave të mbrojtura ku do të dëmtoheshin flamingot.