Alketa Vejsiu shkakton furtunë me reagimin e saj për protestat në Tiranë

Reagimi i fundit i moderatores Alketa Vejsiu lidhur me protestat në Tiranë ka shkaktuar një valë të madhe debatesh dhe mjaft pakënaqësi mes ndjekësve të saj në rrjetet sociale.

Përmes një postimi të gjatë të ndarë në disa imazhe, Vejsiu u shpreh se e ka ndjekur me interes atë që e quajti “Revolucioni i Flamingove”, duke e vlerësuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile, qytetarëve dhe të rinjve si një imazh të bukur të një Shqipërie të lirë dhe demokratike.

Ajo shpjegoi se fillimisht ishte rezervuar për të folur pasi nuk është eksperte, por vendosi të ndajë mendimin e saj të lirë.

Në qëndrimin e saj, moderatorja theksoi se mbështet zhvillimin e vendit dhe investimet e huaja strategjike, duke përmendur projekte si ai i Sazanit dhe Zvërnecit.

Sipas saj, marka ekskluzive të hotelerisë si Aman, Four Seasons apo The Peninsula do të sillnin një nivel tjetër turizmi elitar në Shqipëri. Vejsiu argumentoi se natyra dhe zhvillimi mund të bashkëjetojnë nëse ndiqet një model “i gjelbër”, duke u shprehur: “Pse mos t’i duam dhe pretendojme të dyja? Duam edhe Amanin, duam edhe Flamingot!”.

Megjithatë, ajo pranoi se ky proces kërkon transparencë të plotë publike, plane të rrepta mjedisore, paga dinjitoze për shqiptarët dhe ruajtjen e plazheve publike. Ajo shtroi pyetjen nëse mund ta shohim këtë situatë nën një dritë tjetër: “Po sikur të mos mendojmë: ‘Shqipëria po shitet’, por të themi: ‘Shqipëria po zhvillohet’?”.

Ky qëndrim nuk u prit mirë nga një pjesë e konsiderueshme e publikut, të cilët e akuzuan moderatoren për hipokrizi dhe shkëputje nga realiteti.

Një prej komentuesve më të spikatur i shkroi: “Ti e do Shqipërinë aq shumë, sa fëmijët i ke lindur jashtë saj, u ke vënë emra të huaj, i shkollon jashtë dhe pushimet i kalon jashtë. E megjithatë gjen kohë të na japësh leksione për dashurinë ndaj atdheut dhe të na shpjegosh se ne nuk dimë të dallojme investimin nga shitja. Shqipëria nuk ka nevojë për poezi patriotike të shkruara nga komoditeti i jetës larg realitetit të përditshëm të shqiptarëve. Shqipëria ka nevojë për ndershmëri, për përgjegjësi dhe për njerëz që e duan jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Vazhdo të shfrytëzosh afërsinë me pushtetin kur të shërben ty dhe interesave të biznesit të familjes tënde, por mos u përpiq t’ua paraqesësh shqiptarëve si dhuratë atë që shumë prej tyre e shohin si humbje të identitetit, të hapësirave publike dhe të së drejtës për të vendosur mbi vendin e tyre. Shqipëria është e shqiptarëve. Nuk është dekor për propagandë, nuk është markë për marketing dhe nuk është për shitje.”.

Kritikat vijuan edhe nga ndjekës të tjerë, të cilët e cilësuan reagimin si një “qokë” apo “për sy e faqe”.

Ndërsa një tjetër përdorues njoftoi se do të ndalonte së ndjekuri atë në rrjetet sociale: “I’m unfollowing one of my favorite people.”.

Përballë këtyre komenteve, Alketa Vejsiu reagoi në mënyrë të drejtpërdrejtë për t’u mbrojtur, duke mohuar çdo lloj privilegji. Ajo u përgjigj: “Paguaj taksat, marr risqet e biznesit, më dhemb koka se shteti dhe tatimet të mbyllin llogaritë, përmbarimi të merr biznesin, bankat të sekuestrojnë. Qeveria s’të ndihmon dot. Kush ja del, ja del me punë si të gjithë. Privilegje s’di të kem marrë… Kam punuar në vendin tim. Do punoja në një vend të huaj njësoj, e s’do paragjykohesha. Por kam vendosur ta bëj në vendin tim… Dhe jam shumë e lumtur për këtë gjë”.

Kur u akuzua për qëndrimin e saj, ajo u shpreh thjesht: “Kur mesazhi s’të pëlqen, mos vrit mesazherin!”, duke shtuar më tej se foli vetëm sepse është e lirë dhe nuk ka frikë nga askush apo asgjë.