Tensionet gjatë protestës në mbrojtje të Zvërnecit përshkallëzuan edhe në përplasje fizike mes forcave të rendit dhe pjesëmarrësve.
Gjatë tubimit të djeshëm të mbajtur në Tiranë, mes protestuesve që u përballën me kordonin policor ishte edhe moderatori i emisionit “Piranjat”, Florjan Binaj.
Në pamjet e siguruara nga terreni, shihet momenti kur aktori dhe moderatori tenton të lëvizë përpara së bashku me turmën në Bulevard, por shtyhet mbrapsht nga efektivët e policisë, të cilët kishin bllokuar rrugën për të mos lejuar kalimin e tyre.
Pas disa minutash tensioni dhe përplasjesh me uniformat blu, qytetarët e revoltuar kanë arritur të çajnë kordonin policor dhe të vijojnë marshimin e tyre drejt Kryeministrisë.
Për të menaxhuar situatën, në terren u angazhuan forca të shumta policie, ndërsa si pjesë e masave të sigurisë u vendosën gardhe metalike dhe autobote me ujë.
Gjatë tentativës për të çarë rrethimin, nga turma u dëgjuan thirrje të forta drejtuar efektivëve, ku qytetarët brohorisnin: “Polici e krimit, hape rrugën!”.
