Kompanisë private që dhunoi protestuesit në Zvërnec i ndodh ajo që të gjithë prisnin!

Dy kompanive të sigurisë private, “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”, u është hequr licenca për ushtrimin e aktivitetit pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së 30 majit në Portonovë të Zvërnecit. Vendimi erdhi pas hetimeve administrative që konstatuan shkelje në mënyrën e organizimit dhe ushtrimit të shërbimit të sigurisë në zonën ku po zhvillohej protesta kundër projektit turistik.

Sipas gjetjeve të hetimit, “Myrto Security 1.3A” nuk kishte zbatuar rregullat për kontrollin e hyrje-daljeve në objekt dhe nuk administronte listën e personave apo mjeteve të autorizuara. Për pasojë, në ambientet e rrethuara kanë hyrë persona të paidentifikuar, të cilët gjatë protestës kanë ndërhyrë ndaj pjesëmarrësve, duke goditur dhe tërhequr me forcë një qytetar, si dhe duke reaguar me gurë dhe sende të tjera ndaj protestuesve. Sipas autoriteteve, punonjësit e kompanisë nuk kanë ndërmarrë veprime për t’i ndaluar apo larguar këta persona.

Ndërkohë, një punonjës i licencuar i “Major Security”, Gerald Biba, është arrestuar pasi dyshohet se ka goditur me grusht një protestues dhe, së bashku me dy persona të tjerë, e ka tërhequr me forcë brenda rrethimit të kantierit, duke i shkaktuar dëmtime. Verifikimet treguan se dy personat e tjerë nuk rezultonin të regjistruar apo të licencuar nga kompania për të ushtruar funksione sigurie. Në përfundim të procedurave administrative, të dy subjekteve iu revokua licenca për ushtrimin e aktivitetit të sigurisë private.