Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një fëmije është shënuar mëngjesin e sotëm në fshatin Mengël, në aksin rrugor Elbasan–Librazhd.
Sipas të dhënave paraprake, një 7-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet në momentin kur po kalonte rrugën për të shkuar në shkollë.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se fëmija i është shkëputur nga dora nënës në çastin kur ka tentuar të kalojë rrugën, ndërsa më pas është goditur nga automjeti që po lëvizte në aksin rrugor.
Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit tragjik.
